E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacion shpëtimi në det, Kapiteneria e Durrësit i vjen në ndihmë turistit anglez

Një operacion i koordinuar shpëtimi është zhvilluar gjatë natës nga Kapiteneria e Portit Durrës, pas një thirrjeje emergjente të marrë nga kroçiera “Marbella Explorer II”.

Sipas njoftimit, në orën 23:50, rreth 20 milje larg Durrësit, autoritetet portuale morën sinjal për ndihmë për një shtetas anglez në bord, i cili shfaqte simptoma të rënda shëndetësore dhe kishte nevojë për ndërhyrje urgjente mjekësore.

Kroçiera po lundronte nga Korfuzi drejt Kotorrit dhe, menjëherë pas marrjes së njoftimit, Kapiteneria e Portit Durrës udhëzoi anijen të afrohej në radë për evakuimin e të sëmurit. Paralelisht u njoftuan të gjitha autoritetet përkatëse, ndërsa u angazhua edhe rimorkiatori “Joni” i ASHD-së për të bërë të mundur transportimin e pacientit nga rada drejt portit, ku priste ambulanca për ta shoqëruar në Spitalin Rajonal të Durrësit.

Në orën 02:30, shtetasi anglez me inicialet C.P. mbërriti në spital nën kujdesin e mjekëve dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në këtë operacion morën pjesë rimorkiatori “Joni” me ekuipazhin e tij, Forca e Sigurisë Portuale, Policia Kufitare, si dhe oficerët dhe Kapiteni i Portit Durrës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›