Operacioni “ENIGMA”/ Proda falenderon oficerët që morën pjesë në aksion: Treguat kurajë dhe guxim

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, u ka dërgaur një mesazh falenderimi për strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, për finalizimin e operacionit “Enigma”.
Në mesazhin e tij Proda thekson se oficerët dhe efetktivët që morën pjesë në operacionin “Enigma” treguan kurajë.
Mesazhi i Prodës:
Të nderuar kolegë, drejtues dhe efektivë të DVP Durrës dhe të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale,
Organizimi dhe finalizimi me sukses i një operacioni me shkallë të lartë rrezikshmërie për kapjen e disa personave në kërkim për krime kundër personit dhe në fushën e narkotikëve, të cilët qarkullonin me armë zjarri, me fishekë në fole, gati për qitje, dhe përballja me këtë rrezik me vendosmëri dhe profesionalizëm, është tregues i nivelit të lartë të përgatitjes dhe përkushtimit tuaj.
Ju shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim më të lartë për kurajën e treguar gjatë zhvillimit të operacionit të koduar “Enigma”, operacion me impakt të lartë te qytetarët dhe një rast pozitiv për rritjen akoma më shumë të besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit.
Mbështes dhe inkurajoj të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit që të vijojnë me përkushtim çdo veprim që synon parandalimin dhe goditjen e krimit, në të gjithë territorin e vendit. Jemi së bashku në betejat e përditshme për ndërtimin e një shoqërie më të sigurt për të gjithë.”
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Drejtues Madhor Ilir Proda