Operacioni “Fokusi” në Kurbin, policia godet një rast armëmbajtje pa leje, arrestohet 29-vjeçari

Policia e Kurbinit në kuadër të kontrolleve për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë ditëve festive, ka finalizuar operacionin e koduar “Fokusi”. Gjatë kësaj ndërhyrjeje, blutë e Kurbinit kanë vënë në pranga një 29-vjeçar dhe kanë sekuestruar një armë zjarri automatik.
Mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë ushtruar kontroll të befasishëm në banesën e shtetasit S. K., 29 vjeç, banues në lagjen nr. 4 të qytetit të Laçit.
Gjatë kontrollit të ambientit, efektivët gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
- 1 armë zjarri automatik
- Krehër me municion luftarak (fishekë)
- Një palë doreza
Policia bën me dije se arrestimi i të riut u bë në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Operacioni vjen në kuadër të masave të intensifikuara për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kontrollin e personave që mbajnë mjete të kundërligjshme në banesë ose mjedise publike.
Materialet i kanë kaluar tashmë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe qëllimit të mbajtjes së kësaj arme.
/rtsh.al/