E Martë, 3 Nëntor 2026

Operacioni “Koordinata”, asgjësohen bimë narkotike në Lazarat e Visokë

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Në kuadër të operacionit antikanabis të koduar “Koordinata” janë asgjësuar dhjetëra bimë narkotike kanabis në Gjirokastër dhe në Mallakasatër dhe janë arrestuar dy të dyshuar.

Policia e Gjirokastrës njoftoi sot se ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike, për të cilin u arrestua në flagrancë shtetasi P. Gj.

“Në oborrin e banesës së tij në fshatin Lazarat, u gjetën të kultivuara 48 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.

“Një pjesë e vogël e bimëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies”, njoftoi Policia.

Gjithashtu edhe në Mallakastër janë asgjësuar 77 bimë narkotike kanabis sativa.

“Nga kontrollet, në fshatin Visokë u konstatua një parcelë ku ishin kultivuar 77 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa, një pjesë e të cilave u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies”, njoftoi Policia.

Policia njoftoi se gjatë ndërhyrjes u kap në flagrancë, në parcelë, shtetasi K. Xh., 58 vjeç, i cili u arrestua për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›