E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Merz: Gjermania pezullon eksportet e armëve drejt Izraelit

BERLIN, 8 gusht /ATSH-ANSA/ – Qeveria gjermane nuk do të autorizojë më asnjë eksport të pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në Rripin e Gazës deri në njoftim të mëtejshëm, deklaroi sot kancelari gjerman, Friedrich Merz.

”Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër terrorizmit të Hamasit, i cili duhet të çarmatoset, por veprimi edhe më agresiv ushtarak i ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, i vendosur mbrëmë nga qeveria izraelite, e bën gjithnjë e më të vështirë të shihet se si mund të arrihen këto objektiva”, thekson Merz.

Merz mbi situatën në Rripin e Gazës, kujtoi gjithashtu se “lirimi i pengjeve dhe negociatat për një armëpushim janë përparësia kryesore e qeverisë gjermane dhe pikërisht për këto arsye, Berlini nuk do të autorizojë asnjë dërgesë armësh që mund të përdoren në Rrip”.

“Me ofensivën e planifikuar, qeveria izraelite ka një përgjegjësi edhe më të madhe se më parë për mbështetjen e popullsisë civile. Ajo duhet të lehtësojë aksesin e plotë në furnizimet me ndihmë, duke përfshirë organizatat e Kombeve të Bashkuara dhe institucionet e tjera joqeveritare”, shtoi ai.

Berlini më në fund i kërkon qeverisë izraelite “të mos ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt aneksimit të Bregut Perëndimor”./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›