E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni “Plazhi i Lirë”, lirohet hapësira publike në Vlorë, çadra dhe shezlongë pa leje të sekuestruara

Në kuadër të operacionit “Plazhi i Lirë”, Policia e Vlorës po zhvillon kontrolle të përditshme për lirimin e hapësirave publike të destinuara për plazhe, me qëllim garantimin e qetësisë dhe aksesit të lirë për qytetarët.

Kontrollet kryhen nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe komisariateve nën varësinë e saj, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, në zonën e Radhimës u lirua një hapësirë e zënë me 24 çadra dhe shezlongë të vendosura pa leje përkatëse. Për këtë rast u procedua penalisht shtetasi O. R., 39 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, ndërsa çadrat dhe shezlongët u sekuestruan.

Policia e Vlorës apelon tek pronarët dhe administratorët e lokaleve buzë vijës bregdetare që të respektojnë hapësirat publike të plazheve dhe të mos i zënë ato pa leje, përndryshe do të përballen me sanksionet ligjore penale dhe administrative që parashikon ligji.

Kontrollet do të vazhdojnë pa ndërprerje në të gjithë vijën bregdetare të qarkut Vlorë, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe garantimin e aksesit të lirë për pushuesit.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›