Operacioni “Road”- Grabisin me dhunë 27-vjeçarin në rrugë, kapen dy autorët dhe sekuestrohet një arsenal armësh

Policia e Tiranës finalizoi operacionin e koduar “Road”, duke vënë në pranga dy shtetas, F. S. 26 vjeç dhe G. Sh. 30 vjeç, të dyshuar si autorë të një grabitjeje me dhunë. Ngjarja ndodhi në rrugën e fshatit Marikaj, ku dy të arrestuarit i morën një 27-vjeçari, nën kërcënim, një shumë prej 5300 eurosh dhe 3 celularë. Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej autorëve, u zbulua dhe u sekuestrua një sasi provash materiale, përfshirë dy karikatorë automatiku.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit për vjedhjen me dhunë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7 organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve të shpejta, dy autorët, të cilët janë banues në Vorë, u lokalizuan dhe u kapën në një banesë të braktisur.
Nga hetimet dyshohet se grabitja u krye me dhunë. Dy shtetasit F. S. dhe G. Sh. i kanë marrë shtetasit të dëmtuar paratë dhe celularët, duke e lënë atë pa mundësi reagimi.
Kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit F. S. në Vorë, rezultoi me zbulimin e provave të tjera që rëndojnë pozicionin e tij. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale:
2 karikatorë të armës së zjarrit automatik (Model 56).
1 palë pranga.
1 mjet prerës (thikë).
3 celularët e vjedhur të shtetasit të dëmtuar.
Në kuadër të të njëjtit rast, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë edhe për shtetasen E. P., 24 vjeçe. Ajo do të procedohet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Të dy autorët e grabitjes, F. S. dhe G. Sh., u vunë në pranga dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/