Operacioni “Siguria detare”, bllokohen 30 mjete lundruese, shpëtohen 13 persona në rrezik në det

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Vijon operacioni “Siguria Detare” përgjatë gjithë vijës bregdetare, liqenore dhe lumore, me kontrolle intensive nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare për të garantuar siguri në ujë gjatë sezonit turistik.
Gjatë javës janë kontrolluar 431 mjete lundruese dhe janë bllokuar 30 prej tyre për shkelje të rregullave të sigurisë dhe mungesë dokumentacioni.
Mjetet e ndaluara përfshijnë 18 jet ski, 7 skafe, 3 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji.
12 mjete janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve, ndërsa drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me gjobë 100 mijë lekë secili.
Po ashtu, janë realizuar 7 ndërhyrje për të shpëtuar 13 shtetas shqiptarë dhe të huaj, që ndodheshin në rrezik në det për shkak të dallgëve të forta ose defekteve në mjete.
Policia Kufitare bën apel për respektimin e perimetrit të sigurisë dhe përdorimin e mjeteve lundruese vetëm në zonat e lejuara dhe me pajisje të plota shpëtimi. Qytetarët dhe pushuesit ftohen të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.
/r.e/