E Premte, 6 Nëntor 2026

Operacioni “USDT-1”, Gjana: 18 të arrestuar, këmbenin monedha virtuale në para dhe anasjelltas pa licensë

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Drejtoresha e Drejtorisë për Hetimet e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtuese e Parë Ervina Gjana paraqiti sot në konferencë për shtyp rezultatet e operacionit policor të koduar “USDT-1”.

Sipas saj, ky operacion, i pari në vendin tonë dhe shumë i rëndësishëm në nivel rajonal, kishte objektiv dokumentimin me prova ligjore dhe goditjen e këmbimit të kundërligjshëm të parave në monedha virtuale dhe anasjelltas.

Hetimi, theksoi ajo, ka qenë kompleks, disamujor dhe është kryer me metoda speciale.

“Gjatë periudhës hetimore është mundësuar dokumentimi me prova bindëse i kësaj veprimtarie kriminale që kryhej individualisht, duke përdorur si mjete komunikimi rrjetet sociale, si dhe nëpërmjet disa subjekteve ekonomike, në Tiranë dhe në Shkodër. Në vijim të veprimeve hetimore-procedurale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, janë ekzekutuar masat e sigurisë, të caktuara nga Gjykata e Tiranës, për 18 shtetas”, tha Gjana.

Konkretisht është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: G. S., R. B., A. K., L. L., M. S., A. R., A. A., S. Gj., A. Gj., D. D., T. A., F. S., P. V., D. V., E. S., J. L. dhe A. B., të akuzuar për veprat penale “Ushtrimi pa licensë i veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Po ashtu, është ekzekutuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për shtetasin V. L., si akuzuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjithashtu, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim 2 shtetas të implikuar në këtë veprimtari kriminale, me shtetësi të RMV-së.

Si rezultat i hetimeve është provuar se 18 shtetasit e arrestuar, individualisht ose me cilësinë e administratorëve të subjekteve ekonomike në Tiranë dhe në Shkodër, këmbenin monedha virtuale në para dhe anasjelltas, pa qenë të pajisur me licensën e nevojshme për kryerjen e kësaj veprimtarie. Nga kontrollet e kryera në 32 ambiente, janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale: 13 pajisje kompjuterike, 27 celularë dhe rreth 750.000 euro, që dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie të jashtëligjshme.

Në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, po vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e implikuar në këtë veprimtari kriminale, të cilët kanë përdorur kriptomonedhat si mekanizma pagese nëpërmjet grupeve kriminale.

Gjana ftoi qytetarët dhe përfaqësuesit e medias që të vijojnë dhe intensifikojnë bashkëpunimin.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›