E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni “Ura”, Dumani: Goditëm një prej grupeve kriminale më të rëndësishme në Shqipëri! Kryeprokurori i Barit: Mafia shqiptare forcë ndërkombëtare

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani së bashku me partnerët italianë, në një konferencë të përbashkët për shtyp, kanë dhënë detaje në lidhje me operacionin “Ura” të zhvilluar mes Shqipërisë dhe Italisë. Në kuadër të këtij operacioni janë lëshuar 52 urdhër-arreste. Kreu i SPAK, Dumani tha se gjatë këtij operacioni u godit një nga grupet më të rëndësishme në Shqipëri. Të pranishëm në konferencë janë kryeprokurori i Barit, Roberto Rossi, Drejtori i Antimafias italiane Gjeneral Michele Carbone e përfaqësuesi i Eurojust për Italinë Gianluca Forlani.

Dumani: Ky operacion përfaqëson një hap të rëndësishëm në luftën tonë të përbashkët kundër krimit të organizuar. I është dhënë një goditje e rëndësishme një prej grupeve kriminale më të rëndësishme në Shqipëri. Shpreh mirënjohjen time për prokurorët e posaçëm, BKH, policinë e shtetit dhe për partnerët italianë, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë hetim. Një falenderim edhe për Eurojust dhe Europol.

Kryeprokurori i Barit, Rossi tha se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë vijon prej 10 vitesh. Ai theksoi se mafia shqiptare është një forcë ndërkombëtare e madhe, por shprehu besimin se autoritetet shqiptare kanë aftësinë që ta luftojnë.

Rossi: Jam shumë i lumtur që gjendem këtu. Kemi punuar dhe vazhdojmë punojmë prej 10 vitesh për arritjen e objektivave të përbashkëta, për të luftuar krimin në Shqipëri dhe Itali. Jemi të ndërgjegjshëm që autoritet e hetimit shqiptar, në veçanti SPAK, janë të afta për kapjen e veprave bashkë me ne. Kjo afërsi dhe kjo forcë e përbashkët është shumë e  rëndësishme. Mafia shqiptare, është një forcë ndërkombëtare shumë e madhe, por jemi të sigurt që populli shqiptar është i aftë ta luftojë këtë. Përmes bashkëpunimit që është perfekt, jemi të sinkronizuar, arrijmë këtë objektiv. Për detajet e operacionit do të flasin kolegët e mi./vizionplus.tv 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›