Operacioni i SPAK në Vlorë, arrestohet shefi i sektorit të policisë shkencore të Kukësit

Në vijim të aksionit të zhvilluar nga forcat speciale me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), është arrestuar punonjësi i Policisë së Shtetit, Rezart Kuçi.
Urdhri i arrestit është ekzekutuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP). Kuçi përballet me akuza të rënda, përfshirë shpërdorim detyre, përfshirje në trafik lëndësh narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Rezart Kuçi aktualisht mban detyrën e shefit të seksionit/ekspert në Seksionin e Policisë Shkencore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.
Më parë, ai ka shërbyer si Zëvendës Shef Komisariati dhe Shef për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 në Tiranë, si dhe si Zëvendës Shef Komisariati/Shef për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.
Arrestimi i tij lidhet me operacionin e zhvilluar në Vlorë, ndërsa hetimet ndaj tij vazhdojnë nga SPAK.