E Hënë, 2 Nëntor 2026

Operacioni për lirimin e hapësirave publike, Rama: Ecim, për të sjellë Rilindjen Urbane 2.0

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar vijimin e operacioneve për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje, në kuadër të programit afatgjatë “Rilindja Urbane 2.0”. Inspektorët e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po kryejnë prishjen dhe çmontimin e këtyre strukturave për t’ia kthyer ato qytetarëve.

Kryeministri Rama ka theksuar se këto veprime nuk janë aksione të përkohshme, por pjesë e një strategjie qeverisëse katërvjeçare. Programi “Rilindja Urbane 2.0” synon të transformojë më tej hapësirat publike në qytetet shqiptare. Ky transformim përfshin lirimin e hapësirave nga ndërtimet pa leje, modernizimin e infrastrukturës dhe krijimin e ambienteve funksionale për qytetarët.

“Ecim, për të sjellë Rilindjen Urbane 2.0”, shkroi Rama, duke publikuar edhe një video nga ky operacion I IKMT-së.

Plani parashikon gjithashtu zgjerimin e hapësirave të gjelbra, sistemimin e shesheve dhe trotuareve, si dhe rikonceptimin e zonave pedonale. Qëllimi është t’i jepet më shumë hapësirë komunitetit dhe të mbështetet zhvillimi i turizmit.

Ky program vjen si vazhdimësi e fazës së parë të “Rilindjes Urbane”, e cila ka sjellë transformime në qendrat kryesore urbane të vendit. Tani, synohet arritja e një niveli më të lartë ndërhyrjesh për të siguruar standarde evropiane të hapësirave publike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›