E Diel, 1 Nëntor 2026

Operatorët e transportit publik kërkojnë kompensimin e karburantit, paralajmërojnë reduktim të autobusëve

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Dy shoqatat që përfaqësojnë operatorët e transportit qytetas, urban dhe interurban i kanë drejtuar një kërkesë institucioneve përgjegjëse për disbursimin e kompensimit për karburantin për muajt mars, prill dhe maj 2026.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban, përmes një letre drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë, asaj të Infrastrukturës dhe Energjetikës, institucioneve të pushtetit vendor dhe Bashkisë Tiranë, shprehen se pavarësisht plotësimit të dokumentacionit të kërkuar, operatorët ende nuk e kanë përfituar masën financiare të miratuar.

Sipas tyre, vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon kompensim në masën 50 lekë për litër karburant, për sasinë e konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026.

Shoqatat deklarojnë se operatorët kanë përmbushur procedurat dhe kanë dorëzuar dokumentacionin që lidhet me aktivitetin e transportit, sasitë e karburantit të konsumuar dhe kriteret e tjera të përcaktuara për përfitimin e kompensimit.

Megjithatë, sipas letrës, pagesat për tre muajt nuk janë disbursuar ende, situatë që, sipas operatorëve, po krijon vështirësi në administrimin financiar dhe në përballimin e kostove operative.

“Operatorët, në pritje të zbatimit të vendimit dhe disbursimit të kompensimit, kanë vijuar të përballojnë me burimet e tyre financiare kostot e aktivitetit, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit të transportit publik për qytetarët”, thuhet në letër.

Shoqatat argumentojnë se edhe çmimet e karburantit vijojnë të jenë në nivele të larta, duke shtuar barrën financiare mbi operatorët. Sipas tyre, vonesa e kompensimit të miratuar, e kombinuar me kostot e larta të karburantit, ka sjellë mungesë likuiditeti dhe rritje të shpenzimeve të operimit.

Në këtë situatë, operatorët kërkojnë jo vetëm disbursimin e menjëhershëm të kompensimit për muajt mars, prill dhe maj, por edhe vijimin e skemës së mbështetjes financiare pas muajit maj, për sa kohë që mbeten të pranishme kushtet ekonomike dhe çmimet e karburantit që justifikuan ndërhyrjen.

Dy shoqatat kërkojnë gjithashtu një informacion zyrtar mbi fazën e procesit të kompensimit, arsyet e vonesës dhe një afat konkret për realizimin e pagesave.

Në letrën drejtuar institucioneve, operatorët paralajmërojnë se mungesa e një reagimi në kohë mund t’i detyrojë të rishikojnë kapacitetet operative dhe numrin e mjeteve që nxjerrin në qarkullim, në përputhje me mundësitë financiare të secilit operator.

Sipas tyre, një reduktim i kapaciteteve do të ndikonte drejtpërdrejt në frekuencën dhe kapacitetin e shërbimit të transportit publik.

“Për këtë arsye, kërkojmë ndërhyrjen tuaj urgjente për realizimin e kompensimit tashmë të miratuar për muajt mars, prill dhe maj 2026, si edhe për marrjen e një vendimi mbi vijimin e mbështetjes financiare për periudhën pasuese”, thuhet në letër.

Operatorët vlerësojnë se transporti publik ka rëndësi të drejtpërdrejtë sociale dhe ekonomike dhe kërkojnë që çështja të trajtohet me prioritet nga institucionet përgjegjëse.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›