Opozita “lufton” me rinumërimin, Kadilli: Ja strategjia që po luan Sali Berisha

Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Fatbardh Kadilli, tha se kërkesa për rinumërim të votave është një strategji e Sali Berishës për të mos pasur një analizë brenda partisë sa i përket rezultatit zgjedhor.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me moderator Roland Zilin, Kadilli deklaroi se, veç interesit të PD-së për të mbrojtur çdo votë, rinumërimi është fitore edhe për sistemin zgjedhor shqiptar.
Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së nënvizoi se nëse ka gabim në një votë, është normale, por nëse në 100 vota, atëherë nuk është më gabim njerëzor.
Intervista e plotë:
Prej shumë ditësh, opozita po përpiqet të bëjë betejë për zgjedhjet, duke mundësuar edhe rinumërim në Tiranë, Fier, etj. Çfarë përfitimesh i sjell Partisë Demokratike kjo strategji?
Kadilli: PD ka interes të mbrojë çdo votë të vetën dhe fitoret e kësaj natyre i shërbejnë mbrojtjes së votës dhe provës nëse ka pasur abuzime gjatë procesit zgjedhor dhe numërimit. Kjo është fitore e PD në vetvete, por për mua është edhe fitore e gjithë sistemit. Ky është përfitim politik për PD, por edhe për sistemin zgjedhor shqiptar.
Nga hapja e kutive në Dibër pati sigurisht lëvizje të votave, por pa ndikim në mandate. Diçka që pritet edhe në procesin për Tiranën, Fierin dhe kështu me radhë. Por sa vlerë ka kjo, kur nuk ndikon në mandate?
Kadilli: Vlera është se përfiton sistemi. Nëse duam të kemi rritje të besimit në sistem, duhet të shfrytëzojmë të gjitha shkallët e sistemit dhe pretendimet nëse ka apo jo prekje të votës. Nëse prekja është minimale dhe nuk prodhon efekt në rezultat, duhet të prodhojë efekt ligjor mbi ata që kanë bërë shkeljen. Sepse nëse ka gabim në një votë, e kuptojmë, por nëse në 100 vota, pastaj nuk është më gabim njerëzor.
A po përpiqet Berisha të mbajë nën kontroll partinë duke e fokusuar betejën vetëm te krimet zgjedhore të pretenduara?
Kadilli: Padyshim kjo është strategji tjetër. Kjo është shpallja e një lufte, beteja për votën është patjetër strategji për të mos pasur një analizë brenda partisë për rezultatet zgjedhore. Rezultati është aq i thellë sa nuk justifikohet me asgjë. Kjo situatë i shërben Berishës për të mbajtur në mënyrë të kompaktuar dhe absolute Partinë Demokratike.
Berisha thotë “nuk njoh zgjedhjet”, por në parlament do të shkojë. A ka një kontradiktë këtu?
Kadilli: Berisha ka lirinë të thotë çfarë të dojë, sa kohë që ata që e ndjekin nuk ja bëjnë këtë pyetje. Ata që e ndjekin, e kanë hequr arsyen nga ekuacioni i problemeve të PD. Berisha ka luksin të thotë çfarë të dojë, siç ka bërë këto kohë. Që e ka bërë të bardhën të zezë, të zezën të bardhë për demokratët. Njëherë thotë: “Unë ja zë fitoren në fyt Edi Ramës”, pastaj thotë: “Rama më vodhi.” Njëherë thotë: “Basha duhet të ikë”, kur vjen radha te Berisha, thotë: “Nuk humba, por më vodhën.”
/vizionplus.tv