E Diel, 1 Nëntor 2026

Orkestra Simfonike sjell kryeveprat e Beethoven, Tuka dhe Agudin një mbrëmje kushtuar muzikës klasike

Muzika e pavdekshme e Ludwig van Beethoven do të rikthehet në qendër të vëmendjes në një mbrëmje të veçantë artistike që premton emocione të forta për publikun kryeqytetas.

 Më 19 qershor, në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë, Orkestra Simfonike e RTSH-së do të sjellë një program tërësisht të dedikuar një prej figurave më të mëdha të historisë së muzikës klasike.

Nën drejtimin e dirigjentit Facundo Agudin dhe me pianisten  Nikol Tuka si soliste, koncerti do të prezantojë dy nga veprat më të njohura të repertorit beethovenian: Koncertin për Piano Nr. 1 në Do Maxhor dhe Simfoninë Nr. 8 në Fa Maxhor.

“Është një kënaqësi e madhe për mua të vij të luaj me orkestrën e RTSH-së, koncertin e parë të Behovenit për piano dhe orkestër në Domaxhor. Normal është një emocion i madh edhe për mua që luajmë me herë të parë me orkestrën e RTSH-së si soliste pasi unë kam pasur edhe bashkëpunime të ndryshme si pianiste orkestra me to. Por normal është emocion tepër i veçantë për mua dhe si pianiste e re të luaj si soliste”, tha Tuka.

Ky koncert vjen si një ftesë për të përjetuar nga afër madhështinë e muzikës klasike dhe për të udhëtuar në universin artistik të një kompozitori që vazhdon të frymëzojë breza të tërë muzikantësh dhe dëgjuesish në mbarë botën.Përmes interpretimit të Orkestrës Simfonike të RTSH-së, publiku do të ketë mundësinë të përjetojë fuqinë emocionale, elegancën dhe pasurinë artistike që karakterizon veprën e Beethovenit, në një mbrëmje që premton të jetë një nga ngjarjet më të veçanta të sezonit koncertor.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›