E Diel, 1 Nëntor 2026

Osmani: Ka ardhur ora e lirisë në Iran, Kosova qëndron me SHBA-të

PRISHTINË, 28 shkurt /ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Iran.

Osmani ka shprehur mbështetjen e saj ndaj SHBA-së për sulmin ndaj Iranit.

“Ka ardhur ora e lirisë për popullin e Iranit, falë udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Donald Trump. Si gjithmonë, Republika e Kosovës qëndron pa luhatje me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në mbrojtje të lirisë, paqes, sigurisë dhe stabilitetit”, ka shkruar Osmani në platformën sociale “X”.

Presidentja Osmani dënon sulmet e regjimit iranian ndaj aleatëve të Kosovës në Lindjen e Mesme.

“Do të vazhdojmë të mbështesim veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian dhe për të dhënë një mundësi lirisë dhe paqes”, shkruan ajo.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, thekson se Kosova qëndron krah Presidentit Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci.

Izraeli nisi atë që e quajti një “sulm parandalues” kundër Iranit të shtunën në mëngjes, sipas Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Një burim izraelit i tha CNN se sulmi ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara.

Sulmi vjen pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump kaloi javë duke kërcënuar se do ta godiste Iranin për programin e tij bërthamor , si dhe një shtypje të brendshme që ka vrarë mijëra protestues.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›