E Hënë, 2 Nëntor 2026

Osmani: Trump parandaloi përpjekjen e Serbisë për përshkallëzim të konfliktit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka theksuar rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbështetjen e paqes, pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Në një intervistë për “Fox News”, Osmani veçoi kontributin e presidentit amerikan Donald Trump në parandalimin e përpjekjeve të Serbisë për të përshkallëzuar tensionet në maj të këtij viti, duke e cilësuar atë si një udhëheqës që flet me “qartësi, forcë dhe bindje”.

“Sot ekzistojmë si një komb i lirë dhe sovran, sepse Shtetet e Bashkuara nuk qëndruan duarkryq. Ata na mbështetën në momentet më të vështira dhe besuan në të drejtën tonë për liri,” deklaroi Osmani, duke rikujtuar ndërhyrjen e ushtarëve amerikanë në vitin 1999 për të shpëtuar jetët e qytetarëve të Kosovës gjatë periudhës së gjenocidit të kryer nga Serbia.

Ajo shtoi se mbi 97% e qytetarëve të Kosovës mbajnë një qëndrim të fortë pro-amerikan, duke ruajtur një aleancë të ngushtë me SHBA-në, e cila ka nisur që nga ajo periudhë kritike.

Presidentja Osmani foli për sfidat e vazhdueshme nga Serbia, duke përmendur aktin e agresionit në Banjskë të Zveçanit në shtator 2023, ku një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës, dhe përpjekjet e fundit për destabilizim në maj 2025.

Ajo vlerësoi rolin e administratës amerikane dhe aleatëve të NATO-s në parandalimin e këtyre tensioneve. “Ne kemi pasur një numër shpërthimesh të tensioneve në dy vitet e fundit.

Në shtator 2023, pati një akt agresioni nga Serbia kundër Republikës së Kosovës. Ne arritëm ta parandalonim këtë me mbështetjen e aleatëve tanë të NATO-s.

Megjithatë, ekziston një kërcënim i vazhdueshëm që vjen nga Serbia. Majin e kaluar pati një tjetër përpjekje për shpërthim të tensioneve, dhe kjo administratë ka bërë një punë të mrekullueshme për të parandaluar përshkallëzimin e tyre,” u shpreh Osmani.

Ajo veçoi kontributin e Presidentit Trump, duke e përshkruar atë si një lider që komunikon mesazhe të qarta paqeje përmes forcës. “Ndërsa ai ngjitet në skenën e Kombeve të Bashkuara sot, ne presim një mesazh të fortë paqeje përmes forcës që ka dhënë në pjesën tonë të Evropës, sepse ky është mesazhi i vetëm që e kuptojnë autokratët dhe udhëheqësit e çmendur në mbarë botën që duan të vrasin dhe të shkaktojnë vuajtje,” tha Osmani.

Presidentja Osmani theksoi se mbështetja e SHBA-së ka mundësuar që brezat e rinj në Kosovë të rriten pa frikën e luftës dhe dhunës.

“Ne jemi një vend ku çdo brez para fëmijëve tanë është dashur të kalojë nëpër një luftë. Gjyshërit tanë dhe prindërit tanë kaluan nëpër një luftë gjenocidi. Tani fëmijët tanë mund të shkojnë në shtrat pa zhurmën e armëve të zjarrit dhe frikën që na është dashur të rritemi ne si fëmijë të luftës. Dhe kjo falë lidershipit amerikan,” deklaroi ajo, duke nënvizuar ndikimin transformues të aleancës me SHBA-në.

Intervista e Presidentes Osmani për “Fox News” u zhvillua gjatë qëndrimit të saj në Nju Jork, ku ajo po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›