E Martë, 3 Nëntor 2026

Osmani ndan detaje nga takimet me liderët e partive politike

PRISHTINË, 2 korrik/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka filluar më një cikël të ri konsultimesh lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO 124/25.

Sot, takimet e para janë mbajtur me kryeministrin në detyrë, njëherësh, kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Presidentja Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit.

“Ashtu siç ka potencuar edhe në deklarime të mëparme, Presidentja Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 9 shkurt të këtij viti dëmton vlerat demokratike si dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përftimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucione”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

Më tej thuhet se presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend edhe përgjatë ditëve në vijim, në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, liderët e këtyre partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Nesër, presidentja Vjosa Osmani pritet ta takon edhe kryetarin e partisë “Guxo”, Faton Peci. Ndërsa, vazhdimi i 41-të i seancës konstituive pritet të mbahet nesër nga ora 11:00 në Kuvendin e Kosovës.


/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›