KIEV – Ukraina: Ndalimi i dërgesave të armëve amerikane do të nxisë Rusinë

KIEV, 2 korrik /ATSH-DPA/ – Kievi ka paralajmëruar se një ndalim i furnizimeve me armë nga SHBA-ja mund ta inkurajojë Rusinë të vazhdojë luftën në Ukrainë, e cila tani është në vitin e saj të katërt, sipas BBC.
Shtëpia e Bardhë tha të martën se kishte ndaluar disa furnizime me armë për Ukrainën.
”Vendimi u mor për të vënë interesat amerikane në vend të parë, pas një shqyrtimi nga Departamenti i Mbrojtjes të mbështetjes dhe ndihmës ushtarake amerikane për vendet e tjera”, theksoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly.
Ministria e Jashtme e Ukrainës tha në një deklaratë se “çdo vonesë ose zvarritje në mbështetjen e aftësive mbrojtëse të Ukrainës vetëm sa do ta inkurajonte agresorin të vazhdonte luftën dhe terrorin, në vend që të kërkonte paqe”.
Ajo theksoi në veçanti nevojën që Kievi të forcojë mbrojtjen e tij ajrore, pasi Rusia vazhdon të bombardojë vendin me raketa dhe dronë pothuajse çdo natë.
Një diplomat amerikan me seli në Kiev u ftua sot në Ministrinë e Jashtme për bisedime.
Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar nga Shtetet e Bashkuara në lidhje me “pezullimin ose shqyrtimin” e dërgesave të armëve dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos spekulojnë bazuar në informacione të pjesshme.
Por, në një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes tha gjithashtu se mënyra për t’i dhënë fund luftës ishte përmes “presionit të vazhdueshëm dhe të përbashkët ndaj agresorit”./ /os/