E Hënë, 2 Nëntor 2026

Osmani takon Reiffenstuel: Gjermania, shtyllë strategjike për stabilitetin në Ballkan

PRISHTINË, 11 gusht/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, me fokus te zhvillimet rreth konstitutimit të parlamentit.

Në këtë takim po ashtu, u diskutua për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik dhe fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, transmeton KosovaPress.

Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim të thellë me Qeverinë e Kancelarit Merz. Ajo vlerësoi rolin jetik të Gjermanisë në mbrojtjen e vlerave demokratike, unitetit transatlantik dhe sigurisë evropiane.

E para e vendit kërkoi mbështetjen e vazhdueshme të Berlinit për integrimit e plotë ndërkombëtar të Kosovë e në veçanti në Këshillin e Evropës, duke njohur rolin e Gjermanisë në Këshill dhe rëndësinë e këtij procesi për forcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Osmani theksoi nevojën për qartësi strategjike, afate të përcaktuara dhe objektiva të qarta, duke theksuar se normalizimi nënkupton njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial e rendit kushtetues të Kosovës.

Osmani dhe Reiffenstuel diskutuan edhe për mënyra konkrete të bashkëpunimit bilateral, me ç’rast konfirmuan se takime të këtilla dhe vizitat e nivelit të lartë kontribuojnë drejtpërdrejt në realizimin e objektivave të përbashkëta./KosovaPress.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›