SKOCI – Zjarr i madh në “Arthur’s Seat” mbi Edinburg

EDINBURGH, 11 gusht /ATSH/ – Një zjarr i madh ka shpërthyer në “Arthur’s Seat”, vullkani i shuar që ngrihet mbi kryeqytetin skocez, Edinburg, duke u përhapur gjerësisht në këtë pikë të njohur për ecësit dhe turistët dhe duke prodhuar tym të dukshëm nga shumë kilometra larg, sipas Reuters.
“Arthur’s Seat” është pika më e lartë e parkut Holyrood, pranë parlamentit të Skocisë dhe në fund të rrugës së famshme “Royal Mile” të Edinburgut. Me një lartësi prej rreth 250 metrash mbi nivelin e detit, është një vend i preferuar nga vizitorët për pamjet panoramike mbi qytet.
Zjarrfikësit kanë punuar gjatë gjithë natës për të shuar flakët që përfshinë shkurret në Arthur’s Seat. Shërbimet e emergjencës u njoftuan dje pasdite me pamje dramatike që tregonin flakë të fuqishme mbi kodër.
Tymi shihej duke u ngritur në qiell nga kjo kodër, e cila është pjesë e parkut Holyrood, në juglindje të qendrës së qytetit. Autoritetet u kanë bërë thirrje njerëzve të shmangin zonën. Deri tani nuk janë raportuar të lënduar.
Një zëdhënës i Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Skocisë tha: “Qendra e kontrollit operacional dërgoi katër automjete zjarrfikëse dhe mjete speciale në zonë, ku zjarrfikësit po punojnë për të shuar një zjarr që ka prekur një sipërfaqe të madhe me shkurre”.
Shërbimi zjarrfikës nuk e bëri të ditur shkakun e zjarrit.
Arthur’s Seat ndodhet 251 m bi nivelin e detit, sipas bordit skocez të turizmit, duke u ofruar shëtitësve pamje të kryeqytetit të vendit.
Pamja është gjithashtu vendi i një fortese të madhe që daton rreth 2,000 vjet më parë, si dhe i Kishës së Shën Antonit, një rrënoja mesjetare piktoreske e shekullit të 15-të, sipas bordit të turizmit. /Ad.Ab./