E Hënë, 2 Nëntor 2026

Osmani takon ambasadorin e Gjermanisë, flasin për ngërçin në Kuvend

PRISHTINË, 24 qershor/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, në fokus të takimit ishin zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë te procesi i konstituimit të institucioneve të reja. Me këtë rast, u diskutua edhe për implikimet e moskonstituimit të institucioneve në procese të tjera të rëndësishme për vendin.

“Gjatë diskutimit, u trajtuan gjithashtu mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, në dritën e një qeverie të re në Gjermani, si dhe për angazhimin e përbashkët në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë”, thuhet në njoftim.

Presidentja Vjosa Osmani falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe rikonfirmoi gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në dobi të të dyja vendeve. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›