BERLIN – Merz për negociatat SHBA-BE: Tarifat nuk i shërbejnë askujt

BERLIN, 24 qershor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz shpreson për një marrëveshje midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian deri në mesin e korrikut – për të shmangur rritjen e tarifave.
“Megjithatë, nëse kjo nuk është e mundur, ne jemi gjithashtu të përgatitur me një listë opsionesh”, tha Merz në një fjalim të rëndësishëm për politikën e jashtme në parlament – përpara pjesëmarrjes së tij në samitin e NATO-s, në Hagë.
“BE-ja mund dhe do të mbrojë interesat e saj”, tha ai.
Merz, gjithashtu pritet të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në një samit të BE-së.
Kancelari gjerman tha se përshtypja që ka marrë në takimet me presidentin e SHBA-së Donald Trump është se SHBA-ja ruan interesin për bashkëpunim të ngushtë në çështjet ekonomike me Evropën dhe veçanërisht Gjermaninë.
“Tarifat nuk i shërbejnë askujt. Ato i dëmtojnë të gjithë”, u tha Merz ligjvënësve.
Aktualisht, Uashingtoni dhe Brukseli po negociojnë një marrëveshje për të shmangur tarifat masive të SHBA-së ndaj mallrave të BE-së, të cilat do të hyjnë në fuqi më 9 korrik.
Vendimi i Trump për vendosjen e tarifave ka shkaktuar turbulenca në tregjet globale në muajt e fundit që nga njoftimi i tij, në fillim të prillit.
Ndërsa detyrimet e larta të importit për sektorë të caktuar si alumini dhe çeliku mbeten në fuqi, së bashku me tarifat ndëshkuese për vende si Kina – SHBA-ja ka arritur gjithashtu një marrëveshje për tregtinë e lirë me Britaninë e Madhe. //a.i/