“Apple” i bën thirrje BE-së të heqë ligjin për tregjet digjitale

SAN JOZE (KALIFORNI), 25 shtator /ATSH-DPA/ – Prodhuesi I” iPhone”, “Apple”, i ka kërkuar Bashkimit Evropian të shfuqizojë ligjin e tij të konkurrencës, “Aktin për Tregjet Digjitale” (DMA).
Sipas kompanisë amerikane, interpretimi i ligjit nga Komisioni Evropian nuk ka nxitur konkurrencën, por përkundrazi ka krijuar dobësi të reja.
Deklarata u bë sot në një dokument të dërguar Komisionit, si pjesë e rishikimit zyrtar të ligjit.
Ndër kritikat e shumta të renditura në dokumentin 25-faqësh është kërkesa që “Apple” të hapë mënyrën se si instalohen programet në “iPhone”.
DMA -ja e detyron kompaninë të lejojë tregje alternative aplikacionesh krahas “App Store” të vet.
“Apple” argumenton se rregullat e BE-së tashmë kanë lejuar aplikacione të rrezikshme në iPhone.
“Për herë të parë, aplikacione pornografike janë të disponueshme në ‘iPhone’ nga tregje të tjera, aplikacione që nuk i kemi lejuar kurrë në “App Store” për shkak të rreziqeve që krijojnë, veçanërisht për fëmijët”, tha në një deklaratë kompania me qendër në Kaliforni .
Kompania gjithashtu u ankua për trajtimin e pabarabartë mes kompanive të ndryshme në BE. Për shembull, “Samsung”, ndryshe nga “Apple”, nuk është klasifikuar si një “portier” i tregut, megjithëse është lideri i tregut të smartfonëve në Evropë.
“Apple” shtoi se Komisioni Evropian është fokusuar pothuajse ekskluzivisht tek ajo, duke e goditur kompaninë pesë herë – më shumë se të gjithë konkurrentët e tjerë së bashku. /Ad.Ab./