E Hënë, 2 Nëntor 2026

PARIS – Macron: Franca do ta njohë Palestinën si shtet

PARIS, 25 korrik /ATSH-DPA/ – Franca do ta njohë Palestinën si shtet, postoi presidenti Emmanuel Macron në platformën X të enjten në mbrëmje.

“Në përputhje me angazhimin e saj historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca të njohë shtetin e Palestinës”, shkroi Macron.

“Do ta shpall solemnisht këtë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator të këtij viti”, theksoi ai.

“Paqja është e mundur”, shkroi ai më tej.

Ai tha se u takon francezëve ta demonstrojnë këtë së bashku me izraelitët, palestinezët dhe partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë.

Macron theksoi në postimin e tij se është urgjentisht e nevojshme të përfundojë lufta në Rripin e Gazës dhe të ofrohet ndihmë për popullsinë civile.

Përveç kësaj, ai tha se duhet të sigurohet demilitarizimi i lëvizjes islamiste palestineze Hamas.

Macron shkroi se duhet të sigurohet qëndrueshmëria e një shteti palestinez.

“Nuk ka alternativë”, theksoi ai në postim./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›