E Diel, 1 Nëntor 2026

PARIS – Macron synon të mbrojë Libanin nga përshkallëzimi në luftën me Iranin

PARIS, 5 mars /ATSH-DPA/- Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha sot se ka zhvilluar bisedime në nivelin më të lartë me zyrtarë të Libanit, për të hartuar një plan që synon ndalimin e sulmeve të kryera aktualisht nga milicia pro-iraniane Hezbollah në Liban dhe në Izrael.

Sipas Macron, autoritetet libaneze janë zotuar të marrin kontrollin mbi pozicionet e Hezbollahut dhe të garantojnë plotësisht sigurinë në të gjithë territorin kombëtar.

“Do t’i mbështes sa të mundem”, shkroi Macron në platformën X.

“Franca do të forcojë bashkëpunimin me forcat e armatosura të Libanit dhe do t’u sigurojë atyre automjete të blinduara transporti, si dhe mbështetje operacionale dhe logjistike”, shtoi ai.

Deklarata e Macron vjen në prag të një sulmi të mundshëm izraelit ndaj periferive të kryeqytetit libanez, Bejrut.

Lufta me Iranin ka rindezur përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut, pasi ky i fundit lëshoi raketa drejt Izraelit në përgjigje të vrasjes së liderit suprem iranian, Ali Khamenei.

Qeveria në Liban është gjithashtu nën presion për të zbatuar marrëveshjen për çarmatimin e Hezbollahut, i cili konsiderohet aleati më i rëndësishëm jo-shtetëror i Iranit.

Macron njoftoi gjithashtu se Franca do të rrisë ndihmën humanitare për Libanin.

Disa tonë ilaçesh janë dërguar tashmë, si dhe strehime të përkohshme dhe furnizime me ndihma. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›