E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD: Deklarata e Kos për ‘zgjedhje të lira’, skandali më i rëndë diplomatik

TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Partia Demokratike ka reaguar ndaj deklaratës së Komisioneres për Zgjerimin në Komisionin Europian, Marta Kos, e cila një ditë më parë deklaroi se zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri ishin “të lira dhe të ndershme”.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, e cilësoi këtë deklaratë si “absolutisht të pavërtetë, skandaloze, korruptive, si shkelje të rëndë të ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar për vlerësimin të zgjedhjeve”.

Sipas PD-së, deklarata e komisioneres bie ndesh me raportin paraprak të misionit të OSBE/ODIHR, PACE dhe Parlamentit Europian, publikuar më 12 maj, si dhe me raportet përfundimtare të misioneve të vëzhgimit.

“Me deklaratën e saj, zonja Kos ka shkelmuar një rregull të ligjit ndërkombëtar, i cili detyron zyrtarët e lartë të institucioneve ndërkombëtare dhe të qeverive të vendeve anëtare të institucioneve të vëzhgimit që në vlerësimet e tyre për zgjedhjet e një vendi të bazohen në vlerësimin e këtyre zgjedhjeve në raportet zyrtare të misioneve të besimit të mirë që ato kanë dërguar për vëzhgimin e tyre. Këto misione, të gjitha pa përjashtim, në raportet e tyre deklarojnë se zgjedhjet e 11 majit 2025 në Shqipëri u zhvilluan në fushë të pabarabartë dhe se u shua vija ndarëse midis partisë dhe shtetit. Kjo, sepse, për të fituar zgjedhjet, qeveria, në kundërshtim me ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet, përdori të gjitha burimet: financiare, njerëzore, logjistike, vendimmarrëse, ekzekutive, krimin e organizuar dhe kontrollin e mediave”, u shpreh Garo.

PD theksoi ajo, mbetet mbështetëse e fortë e procesit të integrimit europian, por argumentoi se Shqipëria aktualisht nuk përmbush kriteret, përveç atij gjeostrategjik, duke përmendur sfida të lidhura me sundimin e ligjit, krimin e organizuar dhe emigracionin.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›