E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Do të bëjmë kallëzim penal ndaj Peleshit, po pengon drejtësinë

TIRANË, 8 janar /ASTH/ Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, kërkuan sërish sot mbledhjen e Këshillit, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Gjatë fjalës së tij, nga kryesia e Kuvendit, Oerd Bylykbashi, bëri të ditur se PD do të depozitojë kallëzim penal ndaj Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për shkak se po pengon Kuvendin, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.

“Do të bëjmë kallëzim penal ndaj Kryetarit të Kuvendit, i cili me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka penguar autoritetin kushtetues të Parlamentit të Shqipërisë, për të shqyrtuar këtë kërkesë dhe ka penguar nëpërmjet këtyre veprimeve bërjen e drejtësisë, duke penguar prokurorinë që duke marrë autorizimin e Kuvendit të shkojë të marrë masën e arrestit para Gjykatës së Posaçme”, tha Bylykbashi.

Sipas Bylykbashit, “Kryetari i Kuvendit dhe mazhoranca po bllokojnë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të hequr imunitetin. PD e ka bërë të qartë se ne jemi në mbështetje të plotë për të vazhduar procedurën për të hequr imunitetin e deputetes së Belinda Ballukut”.

Bylykbashi theksoi se “provat janë të qarta se kërkesa për të zbatuar masën ka ardhur për shkak se janë rënduar rrethanat dhe është rritur rrezikshmëria e personit të pandehur për shkak se ka intimiduar dëshmitarët”.

“Ne kërkojmë me urgjencë thirrjen e mbledhjes dhe sot që e kemi kërkuar Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi e ka penguar thirrjen e Këshillit. Rregullorja e përcakton qartë se 5 anëtarët e opozitës e kanë të drejtën të thirri mbledhjen njësoj me kryetarin dhe kjo e vendos kryetarin në detyrimin ligjor për të njoftuar palët. Mjafton gjysma e anëtarëve që mbledhja të jetë e vlefshme”, tha ai.

Sipas Bylykbashit urdhri vjen nga kryeministri Edi Rama. “Edi Rama duke urdhëruar mazhorancën, po e kthen Kuvendin dhe procedurën për heqjen e imunitetit në një koracë për mbrojtjen e korrupsionit”, tha ai.

Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogorasë”.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›