E Martë, 3 Nëntor 2026

PD: Presidenca dhe Shkolla e Magjistraturës të përfshira në procesin zgjedhor

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Partia Demokratike ngriti sërish sot akuza  për përfshirje të institucioneve të pavarura në favor të Partisë Socialiste gjatë procesit zgjedhor, duke përmendur konkretisht Presidencën e Republikës dhe Shkollën e Magjistraturës.

Sipas zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, kabineti i Presidentit të Republikës është vënë në dispozicion të partisë në pushtet, duke shkelur parimin e neutralitetit institucional.

Në këtë kuadër, më 30 maj grupi parlamentar i PD i ka dërguar një kërkesë zyrtare Presidentit Begaj, ku i kërkon të ruajë neutralitetin politik dhe të shmangë çdo ndërhyrje në procesin zgjedhor.

Në kërkesë përfshihej emri i Ilirjan Rusmalit, këshilltar në kabinetin e Presidentit dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).

PD thekson se ky pozicion i dyfishtë përbën shkelje të dispozitave ligjore dhe një cënim të parimit kushtetues të përfaqësimit të unitetit të popullit.

Më 2 qershor, subjekti zgjedhor “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” (PD–ASHM) ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e Rusmalit nga shqyrtimi i një kërkese ankimore, duke argumentuar se sjellja dhe vendimmarrjet e tij kanë qenë të njëanshme dhe në dëm të palës ankuese.

Në argumentimin e saj, Vangjeli thotë se është mbështetur në nenin 42, pika 2 të Kushtetutës, nenin 6, pika 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nenin 30 të Kodit të Procedurave Administrative dhe nenin 135 të Kodit Zgjedhor. Megjithatë, sipas Vangjelit, KAS e ka rrëzuar kërkesën, duke mos pranuar përjashtimin e Rusmalit.

Nga ana tjetër, Vangjeli ngriti akuza lidhur me Shkollën e Magjistraturës, pasi sipas saj, ka vënë në shërbim të PS studentët e saj.

“Shila Vital Ballhysa, kandidate për gjyqtare në listën përfundimtare të shpallur më 13 maj nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, është njëkohësisht përfaqësuese e PS në KQZ, si dhe eksperte e komisionit të reformës zgjedhore për këtë parti”, tha ajo.

Partia Demokratike, theksoi Vangjeli, kërkon masa urgjente nga Presidenti i Republikës dhe Shkolla e Magjistraturës për t’u distancuar nga veprimet e paligjshme, duke paralajmëruar se në rast të mosreagimit të tyre, kjo do të konsiderohet si provë e përfshirjes së PS në strukturat që supozohet të jenë të paanshme.

Sipas saj, këto veprime komprometojnë integritetin e procesit zgjedhor dhe konfirmojnë farsën elektorale të 11 majit 2025, të përshkruar në mënyrë të qartë në Raportin Paraprak të OSBE/ODIHR. /a.gj/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›