KIEV – Pesë të vrarë, pas sulmeve të reja ruse

KIEV, 7 qershor /ATSH-AFP/ – Sulmet ruse në qytetet ukrainase Kharkiv dhe Kherson vranë pesë persona dhe plagosën më shumë se 20 të tjerë gjatë natës së djeshme, pas premtimit të Moskës për një përgjigje ndaj shkatërrimit të një pjese të forcës së saj ajrore të dielën.
Tre vdekje dhe të paktën 17 të plagosur u raportuan në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, i cili pësoi “sulmin më të fuqishëm që nga fillimi i luftës” në shkurt 2022, sipas kryetarit të bashkisë, Igor Terekhov.
Në total, “të paktën 40 shpërthime” ndodhën brenda një periudhe të shkurtër kohore në këtë qytet me rreth 1,4 milionë banorë, i vendosur më pak se 50 kilometra nga kufiri rus në verilindje të vendit.
“Armiku po godet njëkohësisht me raketa, dronë ‘Shahed’ dhe bomba ajrore të drejtuara”, shpjegoi Terekhov, sipas të cilit u përdorën të paktën 48 dronë ”Shahed”, dy raketa dhe katër bomba të drejtuara.
”Dy persona u vranë në lagjen ‘Kyivsky’ dhe një tjetër në lagjen ‘Osnovyansky’ dhe rreth 20 u plagosën”, raportoi ai.
”Një çift në të pesëdhjetat vdiq gjithashtu në sulmin që goditi dy ndërtesa në Kherson, në jug”, sipas guvernatorit të rajonit me të njëjtin emër, Oleksandr Prokudin.
Rusia kreu një nga sulmet e saj më masive që nga fillimi i luftës gjatë natës së të enjtes deri të premten, me 407 dronë dhe 45 raketa, sipas ushtrisë ukrainase.
Numri i të vdekurve nga sulmi u rrit në të paktën pesë të shtunën me zbulimin e trupit të një gruaje të re në rrënojat në Lutsk, pranë kufirit polak./ a.jor.