PD: Shqipëria, e fundit në Europë për cilësinë e jetesës

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Nënkryetari i Këshillit bashkiak të Tiranës, dhe këshilltari ekonomik në PD, Dorian Teliti në një deklaratë për mediet tha sot se “Shqipëria është e fundit në Evropë për cilësinë e jetesës”.
“Dy ditë më parë, një tjetër raport serioz vlerësoi cilësinë e jetesës në Evropë dhe Shqipëri. Është pikërisht raporti i Numbeo-s, i cili e ka renditur Shqipërinë në vendin e 37 nga 37 vende të Evropës, e ka renditur Shqipërinë në fundin e listës për sa i përket jetesës dhe cilësisë së saj”, tha Teliti.
Sipas tij, “familjet shqiptare shpenzojnë të paktën 40% të të ardhurave të tyre për t’u ushqyer, ndërkohë që mesatarja evropiane është të paktën tre herë më e ulët”.
Teliti tha më tej se “çmimet kanë dalë tashmë jashtë kontrollit, më të larta se mesatarja evropiane”.
“Shërbimet publike degradohen dita ditës, arsimi i braktisur si asnjëherë më parë, bujqësia jo thjesht e lënë në harresë, por edhe e goditur për të mbrojtur interesat e disa importuesve, falimentimi i sipërmarrjeve prodhuese shqiptare, korrupsioni endemik me pronën, tenderimet dhe fondet publike, etj, janë qartësisht realiteti i hidhur që ne shqiptarët jetojmë dhe raportet ndërkombëtare i zyrtarizojnë në vlerësimet dhe qëndrimet e tyre”, u shpreh Teliti.
Sipas Telitit “rruga e vetme për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza është ngritja e menjëhershme e qeverisë teknike që të krijojë besim dhe të garantojë më në fund zgjedhje të lira e të ndershme për shqiptarët”.
Teliti nënvizoi se “vetëm përmes një qeverie teknike të çliruar nga kontrolli politik, vetëm përmes një procesi zgjedhor të besueshëm, shqiptarët do të mund të zgjedhin të ardhmen që meritojnë”.
“Vetëm kështu vendi do të futet në shinat e zhvillimit të qëndrueshëm, vetëm kështu do të krijohet një ekonomi reale, konkurruese dhe përfshirëse. Dhe mbi të gjitha, vetëm kështu Shqipëria do të bëhet vërtet gati për integrimin në Bashkimin Evropian”, u shpreh Teliti.
/m.q/j.p/