PD kërkesë në KQZ: Nuk na janë dhënë pamjet nga qendrat e votimit dhe zarfet e diasporës

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Partia Demokratike dhe koalicioni PD-ADSHM i kërkon KQZ-së që t’u vërë në dispozicion pamjet filmike të të gjitha qendrave të votimit në vend.
Gjithashtu PD kërkon edhe informacionin për kthimin e zarfeve të votave të diasporës, nëse janë bërë dorazi apo jashtë kanaleve të DHL-së.
Kjo kërkesë, që mban datën 4 korrik në protokoll, mes të tjerash vë në dijeni edhe faktorin ndërkombëtar të OSBE-ODIHR dhe përmban edhe ankesën ndaj Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, se jo vetëm nuk i vë në dispozicion materialet e kërkuara, por edhe në shumë prej tyre pamjet filmike kanë prerje, ku pretendohet qëllimisht, si pjesa e procesit të votimit.
Report tv ka publikuar kërkesën që është dorëzuar nga përfaqësuesi ligjor i PD, Franc Nuri dhe pritet të shqyrtohet nga ana e KQZ-së.
Kryetari i PD, Sali Berisha, që pas ditës së zgjedhjeve ka theksuar se “zgjedhjet e 11 majit ishin farsë elektorale”.
/r.e//a.f/