PD: Të shkarkohet Niko Peleshi. Opozita pretendon se shkeli ligjin në dy seanca parlamentare

Këshilli i Legjislacionit nisi shqyrtimin e kërkesës së PD për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, socialistit Niko Peleshi.
Në emër të opozitës deputeti Ivi Kaso deklaroi se kryeparlamentari Peleshi ka shkelur Kushtetutën dhe rregulloren në seancën e 16 shtatorit kur u miratuan ndryshimet në rregullore dhe në mbledhjen e Parlamentit të 18 shtatorit ku u miratua qeveria Rama 4.
PD pretendon se në seancën e miratimit të programit qeverisës PD iu mohua e drejta për të folur në parlament dhe programi u miratua pa iu nënshtruar më parë diskutimeve.
“Shkeljet e konsumuara në këto dy seanca s’kanë të bëjnë me shkelje vetëm të natyrës procedurale, ndryshimi i rregullores me procedurë të përshpejtuar në ndryshim nga parashikimet kushtetuese, me anë të së cilës s’mund të shqyrtohej një ligj me procedurë të shpejtuar. Ka të bëjë me mohimin e të drejtës së deputetëve të opozitës për ndryshimet e rregullores dhe kthyer në një traditë parlamentare me anë të cilës ndryshimi i rregullores së Kuvendit është bërë me konsensus”, tha Kaso.
Këshilli vendosi të caktojë socialistin Damian Gjiknuri dhe demokratin Ivi Kaso si relatorë të raportit që do t’i përcillet për shqyrtim seancës plenare.
Kërkesa e PD për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit është më së shumti një akt politik në shenjë proteste ndaj mënyrës se si u zhvilluan dy seancat e para të parlamentit, pasi opozita nuk i ka votat për të shkarkuar kryetarin e parlamentit.
PD dhe aleatët e saj kanë vetëm 50 vota në parlament, ndërkohë që për të shkarkuar kryetarin e kuvendit duhen 71 vota pro./vizionplus.tv