PD ankimoi rezultatet e 11 majit për Kukësin, KAS i lejon marrjen e regjistrit me nënshkrime të zgjedhësve nga jashtë

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve vendosi sot të pranojë disa kërkesa të Partisë Demokratike, lidhur me kërkesën ankimore të paraqitur për zgjedhjet në qarkun Kukës. Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka paraqitur kërkesën për kundërshtimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit të votimit në zonën zgjedhore qarku Kukës, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit si dhe pavlefshmërinë e zgjedhjeve në këtë qark dhe urdhërimin e përsëritjes së tyre.
Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi i PD-së, Franc Nuri parashtroi kërkesat e opozitës në procesin zgjedhor dhe kërkoi që ankimimi i saj të merret parasysh.
Nga ana tjetër, administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha se nuk ka konstatuar “asnjë shkelje jo vetëm të rëndë, por edhe të lehtë të ligjit në mbarëvajtjen e një procesi të rregullt ligjor”.
“Nuk kemi të raportuar në asnjë rast ndonjë ngjarjeje nga policia jashtë këtij territori, nuk na rezulton që të jetë zhvilluar ndonjë proces që të cenojë rendin e procesit zgjedhor”, tha përfaqësuesja e KQZ-së.
Ndërkaq, KAS vendosi të mos pranojë kërkesën e Partisë Demokratike për të kryer kryqëzimin e të dhënave nga pajisjet “PEI” për gjitha gjitha qendrat e votimit të qarkut Kukës.
Relatori dhe anëtari i KAS, Ilirjan Rusmajli, u shpreh se kjo kërkesë nuk pranohet për shkak se kërkesa nuk ka lidhje me marrjen e një prove, pasi prova nuk ekziston.
“Sikur prova të ekzistonte do të duhej ta merrnim. Por ne shoqërojmë këtë vendim me një kërkesë nga ana jonë drejtuar KQZ-së që të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme njerëzore që sa më shpejt të jetë e mundur, të dhënat që kërkohen sipas kësaj pike t’i vërë në dispozicion brenda ditëve që ne kemi në dispozicion për përfundimin e shqyrtimit”, u shpreh ai.
PD-ja gjithashtu kërkoi nëpërmjet operatorit postar regjistrin e nënshkruar personalisht nga çdo zgjedhës në diasporë që vërteton marrjen e zarfit dhe materialet zgjedhore nga secili zgjedhës. Kjo jo vetëm për Greqinë, por për të gjithë zgjedhësit e regjistruar në diasporë.
Lidhur me këtë kërkesë, Rusmajli u shpreh se “KAS e konsideron se kjo kërkesë duhet pranuar të paktën për Greqinë, për aq sa disponohet aktualisht”.
“Nëse gjatë këtyre ditëve që ne kemi çështje në shqyrtim do të vijnë të dhëna të tjera edhe ato do të duhet t’i vihen në dispozicion kërkuesit sipas protokollit për ruajtjen e konfidencialitetit për ruajtjen e të dhënave personale”, tha Rusmajli.
Lidhur me kërkesën e PD për raportin e audituesit teknicien, Rusmajli tha se, “KAS e konsideron të drejtë”, teksa shtoi se “kjo kërkesë është publike dhe kemi besim që kjo plotësohet shumë kollaj qoftë edhe vetë nëpërmjet ankuesit, por nëse ankuesi e kërkon këtë në dokument fizik, jeni të detyruar t’ia vini në dispozicion si dokument fizik”.
Kërkesën e PD për të pasur kopje të regjistrave të posaçëm për çdo qendër votimi, Rusmajli tha se, “ne këtë kërkesë vendosëm ta refuzojmë sepse konsiderojmë se kjo kërkesë nuk ka lidhje me pretendimet e paraqitura në kërkesën ankimore”.
Sa i përket kopjeve për procesverbalet e qendrave të votimit dhe procesverbalet e mbylljes, Rusmajli tha se, “sa kohë që këto janë dokumente që ligjërisht disponohen nga ankuesi, ne nuk konsiderojmë se ka nevojë për të bërë një përpjekje administrativisht të lodhshme për t’i rivënë në dispozicion”.
Rusmajli u shpreh se këto ishin vendimet për marrjen e provave teksa kërkoi që dokumentet t’i vihen në dispozicion edhe palëve ashtu si anëtarëve të KAS.
Rusmajli theksoi se seanca ndërpritet dhe la kohë për vënien në dispozicion të dokumenteve deri më 30 maj në ora 10:00 kur do të zhvillohet seanca e radhës për shqyrtimin e provave.
Partia Demokratike ka ankimuar edhe rezultatet në Berat, Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë. /j.p/