E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trump paralajmëron Moskën se po “luan me zjarrin”

UASHINGTON, 27 maj /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i dyfishoi kritikat e tij ndaj presidentit rus, Vladimir Putin duke e akuzuar atë se “po luan me zjarrin”.

“Ajo që Vladimir Putin nuk e kupton është se nëse nuk do të isha unë, shumë gjëra vërtet të këqija do t’i kishin ndodhur tashmë Rusisë, dhe dua të them shumë të këqija”, shkroi Trump në platformën “Truth Social”.

Presidenti i SHBA-së, Trump bëri ​​kritika jashtëzakonisht të ashpra kundër Putinit në fundjavë, pasi Moska nisi një tjetër sulm në shkallë të gjerë me dronë kundër Ukrainës.

“Jemi në mes të bisedave dhe ai po sulmon me raketa Kievin dhe qytete të tjera. Nuk më pëlqen aspak. Dhe jam shumë i befasuar”, u tha të dielën Trump gazetarëve.

“Ne, absolutisht po shqyrtojmë sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë”, tha ai.

“Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin e Rusisë, por diçka i ka ndodhur. Ai është çmendur absolutisht!”, tha Trump në “Truth Social”.

Që nga marrja e detyrës në janar, Trump e ka paraqitur veten si ndërmjetës për një zgjidhje paqësore të luftës.

Ai është distancuar qartësisht edhe nga politika e paraardhësit të tij, Joe Biden për sa i përket mbështetjes për Ukrainën.

Rusia i hodhi poshtë kritikat e Trump ndaj Putinit duke e konsideruar një reagim të tepruar.

Kremlini tha dje se kritikat e ashpra të presidentit të SHBA-së, Donald Trump ndaj presidentit rus, Vladimir Putin ishin si pasojë e “mbingarkesës emocionale”, mes pasigurisë mbi statusin e negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›