“PD hesht për Rrjollin”, Salianji: Kur qytetarët nuk të dëgjojnë të flasësh, refuzojnë të votojnë

Ervin Salianji ka shtuar dozën e kritikave për kupolën drejtuese të Partisë Demokratike. I ftuar në “X-Press” në mëngjes, ish-deputeti demokrat theksoi se opozita nuk reagon për shumicën e problemeve reale të qytetarëve shqiptarë.
Salianji dha disa shembuj konkretë për të argumentuar se Partia Demokratike nuk bën rezistencë në shërbim të interesit publik. Kjo sjell zhgënjimin e shqiptarëve, të cilët refuzojnë të votojnë.
“Opozita duhet të rezistojë kur bëhet fjalë për rritjen e kostos së jetesës së qytetarëve. Ja, për shembull: bëhet protestë në Rrjoll, Partia Demokratike nuk është. Ndodh që Porti i Durrësit është bërë fije-fije dhe bëhet fjalë për afera që mund të shkojnë deri në 5-6 miliardë euro… nuk flitet. Ndodh që bëhet porti i ri në Porto Romano, anulohet, vjen një kompani tjetër dhe nuk flitet”.
“Kur qytetarët nuk të dëgjojnë të flasësh për tema sensitive… Porti i Durrësit ka mijëra vite aty. Po merret dhe po hiqet për interesa korruptive. Porti aty i është dhënë Alabbar-it, por janë shqiptarë ata që janë pas tij. Këto janë probleme që qytetarët i ndjejnë dhe zhgënjehen nga politika. Opozita, nëse nuk ka epërsi morale, i demotivon njerëzit. Bëhen të pakënaqur me qeverinë, bëhen të pakënaqur me opozitën dhe nuk dalin të votojnë. Kjo është në avantazh të atij që është në qeveri”, u shpreh Salianji.