PD i kërkon KQZ-së dokumentacionin e procesit të votimit nga diaspora

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Partia Demokratike i është drejtuar me një kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i vënë në dispozicion dokumentacionin lidhur me procesin e votimit nga Diaspora.
Kërkesa, e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, konstaton disa pika.
Pika e parë lidhet me dokumentacionin juridiko-ligjor që vërteton se çdo emigrant i regjistruar në platformën PER ka marrë dhe dorëzuar zarfin personalisht, ka firmosur vetë dhe ka paraqitur mjet identifikimi.
Së dyti PD kërkon “numrin e fletëve të votimit (zarfeve) të diasporës të papërdorura, vendndodhjen aktuale të tyre dhe kushtet e sigurisë. Kërkojmë rakordimin e inventarit të këtyre zarfeve në çdo fazë të procesit: zarfin, dorëzim tek DHL dhe gjendja faktike e tyre sot – të mbështetur me dokumentacion provues të plotë”.
Në pikën e tretë PD kërkon “numrin e fletëve të votimit të diasporës të vulosura nga KQZ, por ende të papërdorura (pra, të pashpërndara – përfshirë këtu edhe ato të fondit rezervë)”.
Së katërti, PD-ja kërkon numrin e sasisë së zarfeve të papërdorura A dhe B, si dhe vendndodhjen e tyre aktuale.
Së pesti, kërkohet sa zarfe janë dorëzuar tek DHL-ja, sa janë kthyer pas si të parregullta për t’u marrë në administrim shpërndarje nga kompania postare, si dhe ato që janë kthyer nga DHL-ja pas dorëzimit dhe marrjes së zarfeve nga votuesi emigrant.
Partia Demokratike kërkon gjithashtu procesverbalet mbi gjendjen numerike dhe fizike të dërgesave postare që DHL-ja ka raportuar në zonën doganore dhe ka administruar në ambientet e dedikuara postare. Kjo pikë parashikon dhe informacionin nëse ka pasur ndërhyrje në ndonjë rast nga ana e autoriteteve doganore apo policore mbi zarfet.
Që në nisje të procesit të numërimit të votave të diasporës, Partia Demokratike kërkoi ndarjen e zarfeve që vinin nga Greqia, pasi pretendon për parregullësi. /j.p/

