PD kërkon mbarimin e mandatit të gjyqtares Gjoka: Zvarritja dëmton besimin tek drejtësia

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i bëri sot thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të zbatojë ligjin dhe të kërkojë menjëherë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor deklarimin e mbarimit të mandatit për gjyqtaren, Irena Gjoka.
Përmes një deklarate për shtyp, grupi parlamentar i PD-së reagoi pas refuzimit të KLGJ-së për të marrë në shqyrtim raportin e Prokurorisë së Përgjithshme për gjyqtaren Gjoka, duke ia përcjellë për kompetencë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
PD rikujton se pas një verifikimi që zgjati 20 muaj, në datën 19 janar 2026, Prokuroria e Përgjithshme përcolli në Këshillin e Lartë Gjyqësor rezultatet e verifikimit për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka, duke konfirmuar dënimin penal për falsifikim dokumentesh nga autoritetet greke në vitin 2005 dhe fshehjen e këtij dënimi në formularin e dekriminalizimit, përfshirë procesin e rivlerësimit kalimtar dhe emërimit në Gjykatën e Posaçme.
“11 ditë më pas, në kundërshtim me detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore, Këshilli i Lartë Gjyqësor refuzoi marrjen në shqyrtim të raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, duke ia përcjellë për kompetencë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Kjo sjellje e papërgjegjshme dhe e paprecedent e KLGJ-së, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve organike që e ngarkojnë me marrjen e vendimeve për rastet e papajtueshmërisë dhe pazgjedhshmërisë së gjyqtarëve, ngre pikëpyetje të forta për pavarësinë dhe paanshmërinë e organit të qeverisjes të pushtetit gjyqësor”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Dërgimi për kompetencë ILD-së, sipas PD-së “është një përpjekje e qartë për ta zvarritur akoma edhe më tej këtë çështje, me pasoja shumë të rënda për pushtetin gjyqësor, të drejtat e qytetarëve dhe besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”.
“Për Këshillin e Lartë Gjyqësor duket normale që një gjyqtare e dënuar me vendim penal të formës së prerë të vazhdojë gjykimim në Gjykatën e Posaçme, duke minuar kështu qoftë qëllimet e ligjit të dekriminalizimit të miratuar në vitin 2015, ashtu edhe të paketës kushtetuese dhe ligjore të Reformës në Drejtësi të miratuar në vitin 2016”, u shpreh PD.
Në vijim grupi parlamentar i PD-së dënoi me forcë “sjelljen e papërgjegjshme, antikushtetuese dhe të paligjshme të Këshillit të Lartë Gjyqësor” dhe kërkoi nga anëtarët e ndershëm të këtij Këshilli që të kërkojnë sërish përfshirjen në axhendë të kësaj çështje, me qëllim garantimin e integritetit, pavarësisë dhe paanshmërisë së organit të qeverisjes së sistemit gjyqësor.
“Çdo sjellje e ndryshme e KLGJ-së dhe ILD-së vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, si dhe cenon rëndë parimet e shtetit të së drejtës, pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”, përfundon deklarata.
/m.m/a.f/