Nga beteja për pasaportën te kualifikimi në Euro 2016, Basha rrëfen prapaskenat me fanellën kuqezi

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Ish-mesfushori i Kombëtares, Migjen Basha, rikthehet në kujtime në rubrikën “Legjendat Flasin”, duke rrëfyer rrugëtimin e tij me fanellën kuqezi dhe momentet më të rëndësishme të karrierës me ekipin kombëtar.
Basha tregon pritjen e gjatë për të marrë ftesën e Shqipërisë dhe vështirësitë e procedurave për pasaportën shqiptare, pasi gjatë atyre viteve kishte vetëm pasaportë zvicerane.
“Humbëm tre vite larg Kombëtares, por gjithçka u avancua kur De Biasi u afrua te Torino dhe më dha mundësinë të luaja pak kohë para ndeshjes me Norvegjinë në mars 2013”, shprehet ai.
Momenti më i paharrueshëm për Basha mbetet fitorja historike në Armeni, që kualifikoi Shqipërinë për herë të parë në një Kampionat Europian. Ai kujton se tre ditët përpara ndeshjes kishin qenë shumë stresuese pas humbjes ndaj Serbisë në Elbasan, por fitorja në Armeni solli gëzim të madh dhe krenari për gjithë ekipin.
Mes sfidave të shumta, Basha përmend humbjen 0-2 ndaj Serbisë si momentin më të vështirë në karrierën e tij me Kombëtaren. Ai thekson gjithashtu krenarinë për debutimin e vëllait të tij, Vullnet Basha, dhe hapjen e dyerve për shumë lojtarë nga diaspora.
Për Migjen Bashën, Euro 2016 mbetet eksperienca më e veçantë dhe e paharrueshme.
“Momenti kur doli emri në listën finale ishte emocion i madh. Fitore me Rumaninë ishte eksperiencë e jashtëzakonshme. Nuk e ndërroj Euro 2016 me asgjë tjetër, sepse ishte hera e parë për ne në një kompeticion kaq të madh”, shprehet ai.
Basha përfundon duke theksuar se fanella kuqezi përfaqëson gjithmonë sakrificën, disiplinën dhe besimin, vlera që çdo lojtar shqiptar duhet të mbajë me krenari.
e.xh/a.f/