E Diel, 1 Nëntor 2026

PD kërkon sërish mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike njoftoi sot se do të kërkojë sërish mbledhjen e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se Partia Socialiste po vonon shqyrtimin e kërkesës, duke i dhënë përparësi kërkesave të Ballukut, ndërkohë që SPAK ka paralajmëruar se Balluku po tenton të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët.

“Prej dy javësh po presim pesë anëtarët e mazhorancës në Këshill, të cilët duket se po i ikin përgjegjësisë për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë. SPAK ka kërkuar shqyrtimin brenda 3-5 ditëve nga marrja e kërkesës, por deri tani nuk është kryer as dëgjimi i prokurorisë në Kuvend”, tha Bardhi.

Ai theksoi se akti i mazhorancës për vonesën e shqyrtimit është i paprecedent dhe shtoi se PD do të rithërrasë mbledhjen e Këshillit të Mandateve më 6 janar, në orën 11:00.

Bardhi apeloi gjithashtu tek Kryetari i Kuvendit që të mos pengojë procesin dhe të mundësojë autorizimin për veprim të prokurorisë në përputhje me Kushtetutën.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›