E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD mbyll negociatat. Dy kandidatë gati për Tiranën, emrat do të zbulohen në Kryesi

Partia Demokratike ka mbyllur negociatat për përzgjedhjen e kandidaturave për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit, me prioritet kandidatin e Tiranës.

Edhe pse selia blu e konsideron antikushtetuese shpalljen e dekretit të presidentit për zgjedhjet në kryeqytet, për shkak se Erion Veliaj i është drejtuar me ankesë Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e tij, PD-ja nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.

Partia Mundësia i ofroi në tryezë demokratëve tre kandidatë, profile jopolitike, si Edlira Çepani, Ermal Hasimja dhe Florian Haçkaj. 

Si forca më e madhe e opozitës, Partia Demokratike do të përzgjedhë në bazë të propozimeve, megjithatë ajo ka bërë gati edhe kandidaturat e saj.

Selia blu është hermetike për të zbuluar emrat, pasi ka planifikuar që dy kandidatë të përzgjedhur prej saj të bëhen publikë në mbledhjet e forumeve.

Kryesia dhe kryetarët e degëve të Tiranës janë takimet e para të planifikuara në selinë blu.

Gazetare: Anisa Kadesha

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›