Kurbin, arrestohet 22-vjeçari me rrezikshmëri shoqërore

Një 22-vjeçar me rrezikshmëri shoqërore është arrestuar në Kurbin. Policia bën me dije se në muajin dhjetor 2024, 22-vjeçari qarkullonte me automjet, me armë zjarri që dyshohet se do e përdorte për ngjarje kriminale dhe braktisi automjetin, kur pa shërbimet e Policisë.
Gjatë operacionit të koduar “Parandalimi”, Policia gjeti në automjetin e braktisur, 1 armë zjarri pushkë me fishekë dhe një sasi fishekësh pistolete.
22-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Lezhës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin: -A. K., 22 vjeç, banues në Mamurras.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Lezhës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të hetimeve të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Parandalimi”, i zhvilluar në muajin dhjetor 2024”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/