E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK kërkon rinumërim të votave në të gjithë Kosovën

PRISHTINË, 19 janar /ATSh/ Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka reaguar lidhur me rinumërimin e pjesshëm të votave, duke e cilësuar situatën si “tepër shqetësuese” për shkak të mospërputhjeve të mëdha të zbuluara.

Ai ka vlerësuar se, në rrethanat e krijuara, rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë, duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor.

Sipas Hamzës, çdo vonesë apo hezitim përbën cenim të drejtpërdrejtë të besimit qytetar.

“Në këto rrethana të krijuara, si Kryetar i PDK-së vlerësoj se rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë. Institucionet përgjegjëse e kanë detyrim kushtetues të veprojnë menjëherë për ta mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor. Çdo vonesë apo hezitim është cenim i drejtpërdrejtë i besimit qytetar”, shkruan Hamza në Facebook.

Personat që vërtetohet se kanë cenuar vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 28 janarit 2025 mund të dënohen nga 3 deri në 5 vjet. Kështu thonë njohësit e çështjeve juridike të cilët theksojnë se falsifikimi i rezultatit zgjedhor përbën vepër të rëndë penale, raporton KosovaPress.  

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, i ka cilësuar manipulimet me vota si një nga skandalet më të mëdha që ka cenuar integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë.

Ndërsa, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka deklaruar për KosovaPress se në varësi nga gjetjet gjatë rinumërimit në këto 28 komuna, KQZ mund të marrë vendim të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera.


/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›