Prokuroria aktivizohet në të gjitha komunat ku kishte rinumërim

PRISHTINË, 19 janar /ATSh/ Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se Prokurori i Shtetit ka monitoruar vazhdimisht nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.
Sipas njoftimit, koordinatorja kombëtare për zgjedhjet, prokurorja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që, në të gjitha komunat ku ka përfunduar rinumërimi i votave, të fillojnë grumbullimin e informacioneve të nevojshme dhe sigurimin e provave me rëndësi, që mund të dëshmojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që lidhet me procesin zgjedhor.
“Koordinatorja kombëtare për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Pula ka kërkuar që edhe në komunat ku procesi i rinumërimit ende nuk ka përfunduar, menjëherë pas përmbylljes së tij të nisë procesi i grumbullimit të provave nga prokuroritë përkatëse.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit thekson se Prokurori i Shtetit do të mbetet i angazhuar për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe do të hetojë çdo rast për të cilin ka dyshime se janë keqpërdorur apo falsifikuar vota, në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.
/KosovaPress//r.e/