PE miraton rezolutën për Kosovën: Reformat dhe përparimi në dialog, kyç për rrugën evropiane

PRISHTINË, 17 qershor /ATSH/ Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për Kosovën ku thuhet se reformat dhe përparimi në dialogun Kosovë-Serbi mbeten kyç në rrugën evropiane të vendit. Rezoluta u miratua me 412 vota për, 174 kundër dhe 58 abstenime.
“Vazhdimi i reformave dhe përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbeten kyç në rrugën evropiane”, shkroi në X raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras, pas miratimit të rezolutës.
Në rezolutë përshëndetet përkushtimi i vazhdueshëm i Kosovës ndaj procesit integrues. Në këtë kontekst, aty thuhet se dialogu për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga Brukseli, mbetet pjesë integrale e perspektivës evropiane të Kosovës.
Në rezolutën e miratuar të PE-së është përsëritur qëndrimi se viti 2025 ishte vit i humbur për vendin, duke tërhequr vërejtjen se edhe muajt e vitit 2026 po rrezikohen humbje për shkak të krizës politike.
Në rezolutë thuhet se për shkak të situatës politike, Kosova mund të humbë mjete financiare nga Plani i Rritjes, pasi ekziston frika se Kosova nuk do të jetë në gjendje t’i përmbushë kriteret e nevojshme.
Përmes rezolutës po ashtu shprehet mbështetje e fuqishme për synimet e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian. Po ashtu, shprehet keqardhje për ngërçin politik dhe, siç u tha, polarizimin që po e shoqërojnë vendin, si dhe për proceset e shumta zgjedhore të viteve të fundit.
Rezoluta ofron mbështetje edhe për aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat dhe u bëhet thirrje shteteve anëtare që, pa vonesa të panevojshme, ta mandatojnë Komisionin Evropian për përpilimin e pyetësorit.
Këshilli i Bashkimit Evropian, sipas rezolutës, ftohet, të veprojë me shpejtësi dhe t’ia japë Kosovës statusin e kandidatit, pasi të jenë përmbushur kriteret përkatëse.
Po ashtu, u bëhet thirrje pesë shteteve mosnjohëse të BE-së – Rumanisë, Greqisë, Sllovakisë, Spanjës dhe Qipros – që ta njohin pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të mundësohet avancimi i barabartë i Kosovës me shtetet e tjera kandidate.
Në këtë drejtim rikujtohet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) më 2010, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Rezoluta po ashtu përshëndet vendimin, siç thuhet, “ndonëse të vonuar”, për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja kishte vendosur ndaj Kosovës dhe theksohet se ato kanë qenë në kundërshtim të qartë me angazhimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe përafrimit me politikat e bllokut evropian.
Aty thuhet se masat kanë qenë të pajustifikuara dhe se ato kanë pasur ndikim negativ në shoqërinë e Kosovës.
Në rezolutë vihet në pikëpyetje mungesa e transparencës dhe e parashikueshmërisë, niveli i informimit publik, si dhe kohëzgjatja e zgjatur e masave, pavarësisht faktit se Kosova i kishte përmbushur kërkesat për heqjen e tyre.
Kosovës dhe Serbisë, përmes rezolutës, u bëhet thirrje që të bashkëpunojnë dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’i sjellë sa më shpejt para drejtësisë autorët e sulmit të vitit 2023 në Banjskë.
Në rezolutën e PE-së shprehet keqardhje për faktin se Serbia ende nuk i ka ndjekur penalisht përgjegjësit për këtë sulm, veçanërisht Radoiçiqin.
/KosovaPress/