E Diel, 1 Nëntor 2026

PE miraton rezolutën për Shqipërinë, Bardhi: Integrimi kalon vetëm përmes zgjedhjeve të lira

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi përshëndeti sot votimin e raportit nga ana e Parlamentit Europian për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit.

Bardhi theksoi se të gjitha grupimet e kanë mbështetur ecurinë e Shqipërisë, ndonëse, sipas tij, ky proces kalon vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe luftës pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Jam i lumtur sepse Parlamenti Europian ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të secilit grupim brenda këtij parlamenti për integrimin europian të Shqipërisë. Mirëpo, ka ritheksuar atë që opozita e ngre me shqetësim prej vitesh: se ky proces kalon vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe, sigurisht, luftës pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi ai.

Kreu i grupit të PD-së thekson nga Strasburgu se raporti evidenton si problematikë kyçe mbrojtjen politike që kryeministri i bën korrupsionit.

“Raporti ka evidentuar si çështje shqetësuese mbrojtjen politike që Edi Rama i bëri me votë në Kuvendin e Shqipërisë imunitetit të Belinda Ballukut. Asnjë zyrtar i korruptuar nuk duhet të ketë mbrojtje dhe imuniteti duhet të hiqet sipas standardeve që ka përcaktuar Komisioni i Venecias. Për Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, raporti i miratuar sot në Parlamentin Europian është padyshim një program i qartë pune”, tha Bardhi.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›