PEKIN – Kina u kërkon palëve ndalimin e luftës, veçanërisht Izraelit

PEKIN, 19 qershor /ATSH-DPA/ – Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për një ndërprerje të shpejtë të luftimeve midis Iranit dhe Izraelit për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm, duke iu drejtuar apelit të tij “veçanërisht Izraelit”, deklaroi Ministria e Jashtme kineze.
Thirrja u bë gjatë një bisede telefonike me presidentin rus Vladimir Putin.
Xi e përshkroi situatën në Lindjen e Mesme si jashtëzakonisht kritike, duke thënë se kjo tregon edhe një herë se bota ka hyrë në një fazë të re trazirash dhe ndryshimesh.
”Nëse konflikti përkeqësohet, vendet në rajon do të preken seriozisht, jo vetëm palët e përfshira drejtpërdrejt”, theksoi ai.
Pa përmendur Shtetet e Bashkuara, Xi tha se fuqitë e mëdha me ndikim të veçantë duhet të punojnë me palët në konflikt për të çtensionuar situatën dhe “të mos bëjnë të kundërtën”.
Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të luajë një rol më të madh dhe tha se ”Kina është e gatshme të rrisë komunikimin dhe koordinimin midis të gjitha palëve”.
Pekini dhe Teherani mbajnë marrëdhënie të ngushta.
Kina është një importuese kryesore e naftës bruto iraniane dhe dyshohet se furnizon Teheranin me lëndë të para thelbësore për industrinë e saj të armëve.
Marinat e të dy vendeve kryejnë manovra të përbashkëta./ /os/