PEKIN – Merz: Kina të përdorë ndikimin e saj për t’i dhënë fund konfliktit ruso-ukrainas

PEKIN, 25 shkurt /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz i kërkoi sot qeverisë kineze të përdorë ndikimin e saj në Moskë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, ndërsa filloi një vizitë dyditore në Kinë me diskutime mbi zgjerimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike.
“Sinjalet nga Kina merren shumë seriozisht në Moskë”, tha Merz në Pekin pas bisedimeve me presidentin kinez, Xi Jinping dhe kryeministrin Li Qiang.
“Kjo vlen si për fjalët ashtu edhe për veprat”, tha Merz.
“Do të doja të përshëndesja shprehimisht angazhimin e Kinës për paqen në rajon”, theksoi ai.
Sipas qeverisë kineze, Xi foli në favor të negociatave për të arritur një zgjidhje.
Megjithatë, ai përsëri u përmbajt nga fajësimi i drejtpërdrejtë i Rusisë duke thënë se të gjitha palët duhet të përfshihen në mënyrë të barabartë dhe shqetësimet e tyre legjitime të merren parasysh.
Gjermania e ka kritikuar prej kohësh Pekinin për mbajtjen e një qëndrimi neutral ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Nëse Xi Jinping do t’i thoshte nesër Putinit që të ndalet, atëherë ai do të duhej të ndalonte pasnesër”, tha udhëheqësi gjerman të hënën, përpara se të nisej për në Kinë.
Pekini konsiderohet mbështetësi më i rëndësishëm i Rusisë që kur shumica e vendeve perëndimore i ndërprenë lidhjet me Moskën, pas pushtimit të plotë të Ukrainës katër vjet më parë./ a.jor.