SHBA – JD Vance: Irani t’i marrë seriozisht kërcënimet amerikane

UASHINGTON, 25 shkurt /ATSH-AFP/ – Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance këshilloi sot Iranin t’i marrë seriozisht kërcënimet e SHBA-së, në prag të bisedimeve në Zvicër dhe një ditë pas sulmit të Donald Trump ndaj Teheranit para Kongresit.
Bisedime të reja janë planifikuar për nesër në Gjenevë, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tashmë një prani masive ushtarake në rajonin e Gjirit.
“Shumica e amerikanëve e kuptojnë se nuk mund të lejojmë që regjimi më i keq dhe më i çmendur në botë të ketë armë bërthamore (…). Ky është objektivi që presidenti ka vendosur për ne. Ai do të kërkojë ta arrijë atë në mënyrë diplomatike”, tha JD Vance në “Fox News”.
“Presidenti ka shumë mjete të tjera në dispozicion për të siguruar që Irani të mos posedojë një armë bërthamore”, shtoi ai.
“Ai ka treguar se është i përgatitur t’i përdorë ato dhe shpresoj që iranianët do ta marrin seriozisht këtë nesër gjatë negociatave”, theksoi ai.
Teherani mohon çdo ambicie ushtarake, por këmbëngul në të drejtën e tij për energji bërthamore civile sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), të cilin e ka nënshkruar./ a.jor.