PHENIAN – Kim Jong Un vlerëson marrëdhëniet midis Koresë së Veriut dhe Rusisë në mesazhin e Vitit të Ri

PHENIAN, 27 dhjetor /ATSH-DPA/- Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un vlerësoi lidhjet e vendit të tij me Rusinë, duke thënë se ato forcohen duke “ndarë gjak, jetë dhe vdekje në të njëjtën llogore”, në një mesazh të Vitit të Ri drejtuar presidentit rus, Vladimir Putin.
“Askush nuk mund t’i prishë tani lidhjet midis popujve të dy vendeve”, tha Kim duke iu referuar mbështetjes së Koresë së Veriut për Rusinë në luftën kundër Ukrainës.
Disa ditë më parë, presidenti Putin falënderoi Kim në mesazhin e tij të Vitit të Ri për përpjekjet “heroike” të ushtarëve të Koresë së Veriut.
Vitin e kaluar, Koreja e Veriut u angazhua në një bashkëpunim ushtarak me Rusinë.
Vlerësimet e inteligjencës së Koresë së Jugut sugjerojnë se rreth 15 000 ushtarë të Koresë së Veriut u vendosën në zona të shumta për të mbështetur Rusinë në luftën kundër Ukrainës – ndërsa Pheniani gjithashtu furnizoi Moskën me sasi të mëdha municionesh dhe artilerie.
Vëzhguesit besojnë se Koreja e Veriut mund të marrë para, pajisje ushtarake dhe garanci sigurie nga Rusia në këmbim.
Diplomatët, gjithashtu vënë në dukje se përvoja e fituar në Ukrainë u lejon forcave të Koresë së Veriut të testojnë sistemet e armëve, në praktikë dhe të fitojnë përvojë operacionale, veçanërisht në luftën moderne me dronë.
Nuk është e qartë se sa aktivisht janë të angazhuara trupat e Koresë së Veriut në luftimet në Ukrainë. //a.i/